Investimet thellojnë pabarazitë, kryeson Vlora, Shkodra rritje vetëm 1.3 për qind më 2023
Politikat e zhvillimit kanë ndikuar në krijimin e një zhvillimi të pabarabartë rajonal. Në disa qarqe, ku investimet publike janë rritur më shumë, edhe ekonomia është rritur më fort se në të tjerat.
Të dhënat zyrtare të INSTAT për vitin 2023 tregojnë se Qarku i Vlorës kishte rritjen më të fortë të PBB-së, me 5.2% në krahasim me vitin 2022, duke kryesuar ndaj 11 qarqeve të tjera. Në të kundërt, Qarku i Shkodrës kishte rritjen më të dobët, vetëm 1.3%, ose rreth një të katërtën e rritjes prej 4% në rang kombëtar.
Ndër qarqet me rritjen më të lartë ekonomike pas Vlorës ishin Tirana dhe Durrësi, përkatësisht me 4.7% dhe 4.1%, të ndjekura nga Lezha dhe Korça. Në anën tjetër, qarqet e veriut, Shkodra (1.3%) dhe Dibra (2.1%), të ndjekura nga Elbasani (2.6%), Berati (2.7%) dhe Kukësi (2.8%), janë rritur nën mesataren kombëtare.
Harta e rritjes ekonomike rajonale tregon se qarqet me rritjen më të fortë kanë zhvilluar turizmin ose kanë përfituar nga projekte të mëdha të infrastrukturës publike.
Vitet e fundit, qeveria ka veçuar Vlorën si një qark ku investimet publike janë shumë më të larta se në të tjerat. Një bypass i ri në Vlorë u ndërtua nga e para, rruga e Lumit të Vlorës, Tuneli i Llogorasë, që kanë nxitur bumin e ndërtimit të fshatrave turistike dhe aeroporti i ri është drejt përfundimit.
Në të kundërt, Shkodra, që në vijë ajrore është shumë afër me qendrën e vendit dhe e pasur me burime natyrore e turistike, po dobësohet në të gjithë treguesit demografikë dhe ekonomikë.
Krahasuar me rajonet e tjera të veriut, performanca e Shkodrës është dukshëm më e dobët. Durrësi ka pasur një rritje prej 4.02%, Lezha 3.67% dhe Kukësi 2.76%. Në të njëjtën kohë, Dibra ka pasur një rritje më të ngadaltë prej 2.13%, por megjithatë më të lartë se ajo e Shkodrës.
Ritmi i ulët i zgjerimit ekonomik në Shkodër tregon se, ndonëse rajoni verior në tërësi u rrit me 3.05% në vitin 2023, ka mbetur pas mesatares së rajonit dhe ndjeshëm poshtë mesatares kombëtare.
Ekonomia e qarkut mbetet e përqendruar kryesisht në sektorë tradicionalë, si bujqësia, tregtia me pakicë dhe shërbimet bazike, të cilët kanë produktivitet më të ulët dhe janë më pak të lidhur me dinamikën e tregjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Mungesa e diversifikimit ekonomik dhe e investimeve të mëdha private e publike e ka bërë Shkodrën të ketë më pak rritje.
Turizmi, ndonëse ka potencial të madh, nuk ka arritur ende të krijojë ndikim të qëndrueshëm në rritjen ekonomike.
Infrastruktura e transportit, lidhjet e kufizuara rrugore me zonat e tjera ekonomike të vendit dhe mungesa e investimeve në logjistikë kanë kufizuar flukset tregtare dhe turistike të Shkodrës.
Një tjetër faktor është emigracioni i vazhdueshëm, sidomos i të rinjve dhe i forcës së kualifikuar të punës, që ka tkurrur bazën aktive ekonomike dhe ka vështirësuar zhvillimin e bizneseve në zonë.